Dhuna në Laç, arrestimet e para

07/12/2011 09:55

Prokuroria e Kurbinit ka nxjerrë dy mandat-arrestet e para për dhunën e ushtruar në Laç pas takimit Laçi-Kastrioti, takim që përfundoi me rezultatin 1-1.

Sipas burimeve të Policisë së Kurbinit, mësohet se komisariati i Policisë së Kurbinit ka zbatuar menjëherë urdhërin e policisë duke vënë nën pranga dhe akuzuar për dhunën ndaj gjyqtarit të FIFA-s Lorenc Jemini dy persona.

Të arrestuarit janë: Ardian Laska, zëvendëstrajner i ekipit të Laçit dhe Dod Laska, vëllai i presidentit të Laçit, Pashk Laska.

Arrestimi i tyre pritet të shoqërohet me të tjerë të arrestuar, ndërsa Prokuroria e Kurbinit ka nisur hetimet intensive prej dy ditësh. Vetëm sot ajo ka lëshuar dy mandate-arrestet e para që janë ekzekutuar nga ana e Policisë së Kurbinit.

Të dielën, pas përfundimit të takimit mes Laçit dhe Kastriotit, presidenti i ekipit të Laçit, Pashk Laskaj, ka kërkuar mbylljen e kamerave. Më pas jo vetëm ai, por edhe dhjetëra tifozë kanë mësyrë mbi gjyqtarin e FIFA-s, Lorenc Jemini e lojtarët e Kastriotit.

Ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme, duke u munduar ta mbrojë gjyqtarin, megjithatë ka qenë e pamundur të evitoheshin goditjet që kanë vazhduar edhe në sy të policëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA