Beckham: Dua të luaj në Olimpiadë

06/12/2011 16:00

David Beckham ka rishprehur dëshirën për të qenë i pranishëm në “Londër 2012”.

“Të gjithë e dinë pasionin që kam për të luajtur me Anglinë dhe përfaqësimi i vendit tim në Lojërat Olimpike do të ishte diçka shumë e veçantë edhe për faktin se ndeshjet do të zhvillohen në një zonë të Londrës ku edhe jam rritur”, shprehet mesfushori veteran për ‘Herald Sun’.

Përsa i përket të ardhmes së tij, 36-vjeçari theksoi: “Kam pasur shumë oferta dhe është e pabesueshme për moshën që kam. Gjithsesi, jam ende një lojtar i Galaxy dhe mund të mbetem i tillë. Do të vendos në javët e ardhshme. Më duhet kohë sepse është një vendim i rëndësishëm.”

Ish-mesfushori i Manchester United përjashtoi mundësinë e një karriere si trajner kur të varë këpucët në gozhdë.

“Kur Capello më mori si ndihmës në botërorin e vitit 2010 ia kalova shumë mirë, por nuk më pëlqen ideja e një karriere si trajner, është shumë e vështirë. Më pëlqen të stërvis fëmijët, por jo të bëhem trajner profesionist”, tha Becks.

Top Channel