Një ngjarje e rëndë ndodhi paraditen e së dielës në periferi të qytetit të Shkodrës, buzë liqenit, në rrugën Shirokë-Zogaj.
Sami Bajraku, 51 vjec, ka goditur me thikë bashkëshorten e tij, Vjollca Bajraku, 47-vjece për motive xhelozie duke e lënë të plagosur rëndë.
Më pas autori është vetëdorëzuar në polici duke thënë se e mbyti gruan dhe trupin e saj e kishte lënë buzë liqenit. Pas dy orë kërkimesh policia arriti të gjejë trupin e gruas 47-vjecare, e cila ishte gjallë, por në gjendje të rëndë.
Fillimisht bashkëshortët kanë qenë në një lokal buzë liqenit të Shkodrës. Aty ka nisur debati që ka përfunduar në konflikt fizik.
Pas denoncimit të vetë autorit të krimit, forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por për shkak edhe të motit aspak të përshtatshëm me reshje të dendura shiu, e kanë gjetur të plagosur 47-vjecaren vetëm pas dy orësh.
Ajo ndodhet e shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje kritike për jetën.
Ky është krimi i tretë në familje vetëm në disa javë, çka e ka shndërruar fenomenin e dhunës midis të afërmve në një “plagë” të shoqërisë shqiptare. Në nëntor, dy bashkëshortë vranë gratë e tyre në Bërxull, pranë Tiranës dhe Berat.
Disa grupime të ndryshme të shoqërisë civile kanë kërkuar fuqizimin e kuadrit ligjor ndaj këtij fenomeni dhe masa të tjera ndërgjegjësuese, të cilat për fat të keq, nuk kanë patur ndonjë impakt të rëndësishëm.
Top Channel