
Në orët e vona të mbrëmjes të së dielës ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit për dhunën në takimin Laçi-Kastrioti ku u godit barbarisht gjyqtari i FIFA-s Lorenc Jemini.
Sipas komunikatës për shtyp, FSHF distancohet nga këto akte dhune të ndodhura në stadiumin e Laçit dhe me çdo lloj dhune që i prish bukurinë dhe misionin një ndeshjeje futbolli.
Për këtë arsye Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon Komisionit të Disiplinës të ndëshkojë ashpër shkaktarët e kësaj dhune duke zbatuar rregulloren përkatëse.
Goditja e gjyqtarit brenda fushës së lojës ka ndëshkime edhe më drastike se sa dënimi i stadiumit apo zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë. Masat ekstreme për këtë dhunë barbare që u shkaktua në Laç ndaj një gjyqtari mund të sjellin edhe përjashtimin e Laçit nga kampionati.
Superliga, dhunë në Laç
Skandal në Laç pas përfundimit të takimit mes Laçit dhe Kastriotit 1-1. Presidenti i ekipit të Lacit, Pashk Laskaj ka kërkuar mbylljen e kamerave.
Më pas jo vetëm ai por edhe dhjetëra tifozë kanë mësyrë mbi gjyqtarin e FIFA-s, Lorenc Jemini e lojtarët e Kastriotit.
Ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme, duke u munduar ta mbrojë gjyqtarin, megjithatë ka qenë e pamundur të evitoheshin goditjet që kanë vazhduar edhe në sy të policëve.
Të kontaktuar në telefon nga TCH, drejtues të policisë së Lacit nuk kanë arrestuar askënd me mungesën e denoncimit nga gjyqtarët, megjithatë edhe pse ka marrë në ruajtje aktivitetin sportiv, nuk ka respektuar kushtin e flagrances.
Edhe pse uniformat blu panë nga afër dhunën e ushtruar, ata nuk e kanë konsideruar atë vepër penale.
Pas një ngjarje të tillë nuk mund të flitet për futboll, gjithsesi sa i përket rezultatit takimi është mbyllur 1-1. Buljan shënoi për Lacin në minutën e 45-të dhe Ingako në fundin e takimit.
Ndërkohë në takimet e tjera, Teuta vazhdon serinë e fitoreve pasi ka mundur 1-2 Kamzën, ndërsa Apollonia është mundur 2-3 nga Pogradeci, brenda në Fier.
Top Channel