Korcë, aksident në Qafë Pllocë, 2 të plagosur

03/12/2011 09:15

Një aksident rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në qarkun e Korcës, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është përplasur me një veturë të tipit “Nissan”.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në Qafë Pllocë dhe nga dëshmitë e para ka rezultuar se shkak është bërë mjegulla e dendur.

Burimet saktësojnë më tej se dy personat e plagosur janë dërguar nga uniformat blu në spitalin e qytetit të Korcës, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Ndër aksidentet e fundit të ndodhura në vend ka qenë ai i së premtes në Vlorë, ku një trailer u përplas me murin e një shtëpie dhe një automjet tip “Benz”.

Kamioni me targa “VL 3008 C” kapërceu një nga korsitë e rrugës transballkanike, duke përplasur kabinën në murin e një banese, si dhe dëmtuar tërësisht mjetin “Benz” që ndodhej parkuar ngjitur me të.

Drejtuesi i mjetit u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Dëshmitarë pranë zonës ku ndodhi aksidenti thanë se panë trailerin të ecte me shpejtësi, e më pas të devijonte duke hyrë në korsinë tjetër të rrugës e duke u përplasur më pas me murin e banesës dhe makinen e parkuar pranë saj.

Muajin e kaluar rritja e numrit të aksidenteve rrugore, kryesisht, për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, detyroi qeverinë të bëjë më të rrepta masat ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA