Bajern fiton dhe rimerr kreun

03/12/2011 17:45

Bajerni i Mynihut ka mposhtur thellësisht 4-1 Verder Bremenin dhe ka rimarrë kreun e klasifikimit në Bundesligë, kjo falë edhe hapit fals të Borusias së Dortmundit në derbin me Myncengladbah.

Seria e golave do të hapej nga Riberi në minutën e 22-të. Ky gol do të ishte i vetmi për pjesën e parë. Verder barazon 7 minuta nga nisja e pjesës së dytë. Në minutën e 69 bavarezët fitojnë një 11 metërsh që shndërrohet në gol nga Roben. Goli rikthen qetësinë dhe avantazhin në kampin e Bajernit dhe pak minuta më vonë Riberi do të shënojë edhe golin e tretë.

Një tjetër 11 metërsh dhënë në minutën e 83, shndërruar sërish në gol nga Roben, do të vuloste rezultatin dhe do të rikthente Bajernin tek fitoret pas dy humbjeve radhazi, ndaj Maincit dhe Dortmundit, që këtë javë nuk doli dot më shumë se me 1 pikë nga derbi me Borusian e Myncengladbahut pas barazimit 1-1.

Pas kësaj jave, Bajerni kryeson me 31 pikë duke lënë pas Dortmundin dhe Borusian M. me nga 30 pikë, ndërkohë që Verder mbetet në vendin e katërt me 26 pikë.  

Top Channel