Maradona: Pele ka ngatërruar ilaçet

02/12/2011 17:30

Diego Armando Maradona ka sulmuar sërish me disa deklarata të forta ish-futbollistin Pele pasi ky i fundit dha mendimin e tij në lidhje me Neymar dhe Messi. “O Rei” tha para disa ditësh se Neymar ishte më i mirë se argjentinasi i Barcelonës, gjë që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit aktual të Al-Wasl.

“Pele ka ngatërruar ilaçet. Në vend që të pinte ilaçin e gjumit ka pirë atë të mëngjesit. Ka qenë i trullosur dhe nuk dinte çfarë thonte. I sugjeroj që herën tjetër të pijë ilaçet e duhura para se të flasë. Gjithashtu i sugjeroj që të ndërrojë edhe mjekun”, deklaroi Maradona për mediat argjentinase.

Pele kishte thënë para disa ditësh: “Neymar është më i kompletuar se Messi. Godet mirë me të dyja këmbët, mund të driblojë në çdo drejtim dhe shënon gola. Messi është shumë i mirë, por është në varësi të skuadrës ku luan. Luan mirë me Barcelonën, ndërsa me Argjentinën ka vështirësi. Neymar luan mirë si me Brazilin ashtu edhe me Santosin.”

Top Channel