Energjia, Financat bien dakord në parim

02/12/2011 08:00

Pas konsultimeve të gjëra me kryeministrin Berisha, mësohet se Ministria e Financave ka nisur zyrtarisht negociatat me kompaninë CEZ Shpërndarje për njohjen dhe pagesën e borxhit të faturave të papaguara të energjisë elektrike.

Bëhet fjalë për fatura që shkojnë në dhjetëra milionë euro dhe që mbajnë peng procesin e rritjes të çmimit të energjisë në janar 2012 me rreth 4.5 për qind.

Burime të Financave pohojnë për “Shqip” se, ministri Bode së bashku me zv/ministrin Rushaj, njohës i mirë i procesit dhe kontratës, kanë zhvilluar disa takime me kryeministrin dhe krerët e CEZ, ku në parim është rënë dakord për shlyerjen e borxhit në tre këste, për vitet 2012-2014.

Zyrtarisht, CEZ ka rënë dakord në rast se qeveria ia shlyen detyrimin për të mos rritur çmimin. Sakaq, ERE paraprakisht ka deklaruar se nuk do të ketë një vendim që shtrenjton faturën, por problemi qëndron te Korporata Elektroenergjetike, KESH, të cilës i nevojitet një rritje e çmimit për të përballuar importet.

Në të kundërtën, qeveria do të duhet të derdhë një shumë me vlerë rreth 100 milionë euro. Drejtori i përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Engjëll Zeqo thotë se kriza e energjisë që ka prekur rajonin, po rrit me shpejtësi çmimet në treg.

“Ne kemi mbështetje nga qeveria për pagesën e faturave të importit, që i takojnë muajve nëntor-dhjetor. Fatura shkon rreth 5-6 miliardë lekë”, sqaron Zeqo.

Megjithatë, pasiguritë më të mëdha lidhen me vitin tjetër, ku nëse thatësira vazhdon, KESH-it do t’i nevojiten të tjera financime të mëdha.

“Nëse do të marrim këtë nivel çmimesh, nëse do të marrim maksimumin e mundshëm të importit që ne duhet të bëjmë, kjo kalon në një faturë mbi 100 milionë euro. Ka dy mundësi për të siguruar, nëpërmjet pagesave të CEZ-it dhe mbështetjes se qeverisë për pagesat e këtyre faturave”, tha kreu i KESH-it.

Aktualisht jemi duke importuar sasi rekord, prej 17 milionë kilovat orë në ditë për të plotësuar nevojat e tregut vendas. Rezervat hidrike janë në pikat më të ulëta, rreth 259 metër në Fierzë, pranë nivelit ku hidrocentrali nuk prodhon më.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA