Llafe dhe llafe dhe llafe prapë!

01/12/2011 00:00

Artan Lame – “Fushë dhe fushë dhe fushë prapë/ Fushë e pasosur dhe shumë vapë”. Kështu me këto dy vargje, e nis Çajupi poezinë e tij të mrekullueshme
për Misirin e shtriqur ndën amullinë e Turqisë, 120 vjet të shkuara.

Është e dyta herë që marr pjesë si i ftuar në një mbledhje të Grupit Strategjik për Planin e Ri Rregullues të Tiranës. Prapë Plan?! Po pra, kushdo mund të pyesë “po prapë me plane do merremi, ndërsa Shqipëria e tërë dhe Tirana e tërë, po na shket për duarsh”?! Nejse, nuk po i hyj kësaj pune duhet a s’duhet një plan tjetër ndërsa në këta 20 vjet janë bërë mbi 15 plane, studime, analiza, projekte e strategji, të cilat vetëm për t’i bërë janë harxhuar aq pará sa për të ngritur një Bashki të re nga themelet. Punë për ata që kanë sot vendimmarrjen në këtë qytet por, në mbledhjen e parë ku më ftuan – dhe sidoqoftë faleminderit për këtë – ndërsa dëgjoja të flitej për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore (me letra është e mbrojtur); për hartimin e listave dhe zonave që duhen mbrojtur (lista që ekzistojnë me firma e vula); për sensibilizimin e opinionit publik për domosdoshmërinë e kësaj mbrojtjeje (asnjëherë në histori nuk ka qenë kaq i sensibilizuar opinioni për këto gjëra) etj., u ngrita dhe u thashë: Ore zotërinj, ndërsa ne këtu në këtë sallë po flasim për këto punë, jashtë, atje ku banoj unë në Rrugën e Elbasanit, ku janë dy kuadrate me vila që janë prej vitesh të vëna nën mbrojtje, atje pra bash në këto momente po shkatërrohen dhe transformohen tërësisht 4 vila. Pra janë 4 kantiere ku po punohet pa leje dhe një i pestë që sapo e mbaroi një kat pa leje. Pra, ç’vlerë ka të tjerrim teorira ne të mbyllur këtu në sallë, kur jashtë vazhdon qameti? Mora një përgjigje të llojit që demek ne këtu po bëjmë planet pikërisht që të mos vazhdojnë ndërtimet. Ishte e kotë të vazhdoja duke ju përsëritur se planet janë, por si pj… njeri.

Kaloi muaji, ato vilat morën fund, Bashkia vazhdon të bëjë plane dhe gjendem në mbledhjen e radhës të po atij Grupit Strategjik për Planin e Ri Rregullues të Tiranës. Kësaj radhe flitej me pathos për nevojën e mbrojtjes së mjedisit në qytet (me letra është i mbrojtur); për hartimin e listave të lulishteve dhe parqeve që duhen mbrojtur (lista që ekzistojnë me firma e vula); për sensibilizimin e opinionit publik për domosdoshmërinë e kësaj mbrojtjeje (asnjëherë në histori nuk ka qenë kaq i sensibilizuar opinioni për këto gjëra), etj. Me sikletin e të bërit i bezdisur, prapë u ngrita dhe ju thashë: Ore vëllezër, ndërsa ne këtu në këtë sallë flasim e bëjmë teoria, pikërisht sot u gdhinë të prera në pjesën më të virgjër të Parkut të Liqenit mbi 200 pemë të shëndosha. Në kurorën e gjelbër të Tiranës, që ju thoni se duhet t’i shërbejë qytetit, vazhdojnë ndërtimet pa e me leje, jo më të shtëpive, por të pallateve me 6 me 8 e me 10 kate. Ndërsa flisni për mbrojtje të lulishteve të qytetit, qeveria sapo mori vendim për dhënien e një sipërfaqeje nga Lulishtja e Namasgjasë për të ndërtuar aty një objekt kulti, duke e dënuar kështu përfundimisht me vdekje atë që është Parku më i vjetër publik i Qytetit. Sërish mora një përgjigje të llojit që demek ne këtu po bëjmë planet pikërisht që të mos vazhdojnë ndërtimet. Ishte e kotë të vazhdoja duke ju përsëritur se planet janë, por si pj… njeri.

Ajo që ndodhi me prerjen e atyre 200 pemëve në Parkun e Liqenit para disa ditësh, më bëri të reflektoj edhe më thellë. Asnjë nga organizatat e shoqërisë civile, që merren me mbrojtjen e mjedisit, le pastaj vetë opinioni, nuk bëri zë. Arsyeja është e thjeshtë. Pas një vargu betejash të humbura, të gjithë ndihemi të lodhur, të poshtëruar e të zhgënjyer. Ta hajë dreqi, njerëz jemi dhe e kemi nevojën për një satisfaksion moral, satisfaksion që mes barbarisë ku jetojmë nuk i duket as hija. Le që çfarë po kërkoj dhe unë, shoqëri civile në një vend pa civilizim!

E theksoj “pa civilizim” se nuk do harruar që ato pemë nuk i preu ndonjë hallexhi i zbritur nga mali, por një institucion që është shkollë private!! Shkolla demek, ku duhet të formohen shqiptarët e rinj me respektin për ligjin dhe shtetin dhe me dashurinë për mjedisin dhe natyrën. Çfarë thashë? Shqiptarët e rinj?! Ha, ha, ha! Jo mor jo, vetëm barbarë të rinj mund të dalin nga një shkollë e tillë që pret pemët e parkut dhe të tillë do të jenë me siguri.

Nuk e dinim, mund të justifikohet Bashkia dhe sapo e morëm vesh ndërhymë. Që ajo shkolla preu pemët pa ju vënë fare në refene, do të thotë që as që ju ka fare në refene. Do të thotë se as ka pasur e as ka frikë – nga ligji jo e jo, se s’ka pasur njeri frikë në këtë vend nga ligji – por të paktën nga ju, që si administratë e re dhe që keni edhe qeverinë pas, duhet të bëni aq hije mbi dhe sa t’u kenë frikë jo trimat e Lazaratit, por të paktën një pronar injorant shkolle as një kilometër nga godina e Bashkisë.

Amani, në kini Perëndi, mos më thërrisni më në të tilla mbledhje! Të paktën kur nuk di gjë se ç’bëhet jam më rehat, ndërsa po më thirrët do vij se s’rri dot, dhe pastaj do flas se s’e mbaj dot gojën, dhe pastaj edhe do shkruaj se s’e mbaj dot dorën.

Kur t’i lexoni këto radhë atje në Bashki, do filloni të më shani e të më bëni copë me fjalë, por jam i bindur se nuk do t’u shkojë mendja për asnjë çast te një gjë shumë e thjeshtë: sa të më shani mua, a nuk është më mirë të bëni detyrën tuaj, për të cilën ju paguajmë pra, të shkoni e të ndaloni prerjen e pemëve në atë Parkun e mbetur sa një shami hundësh; të shkoni e të ndaloni ndërtimet në kurorën e gjelbër të Tiranës; të mos lejoni të shkatërrohet më tej Parku Botanik; të mos lejoni shkatërrimin e lulishtes më të vjetër të Tiranës, Lulishtes së Namasgjasë; madje të denonconi edhe në prokurori nëse ka pasur shkatërrime lulishtesh nga paraardhësit tuaj.

Bëjini këto dhe unë Artan Lame, do dal e do them bravo ju qoftë. Por, as keni bërë gjë e as keni për të bërë, se me llafe e filluat, me llafe po e vazhdoni e me llafe do ikni. Pas një muaji me siguri do të jetë mbledhja e radhës e Grupit Strategjik për Planin e Ri Rregullues të Tiranës, ku do këndohet i njëjti avaz:

“Llafe dhe llafe dhe llafe prapë
Llafe pasosur dhe gurë në trastë”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel