“Formacionin më të Mirë”, në garë 55 kandidatë

01/12/2011 00:00

Qeveria e futbollit botëror, FIFA dhe shoqata ndërkombëtare e futbollistëve FIFPro, kanë zyrtarizuar listën e 55 lojtarëve nga të cilët do të zgjidhet formacioni më i mirë i vitit.

Nga votimet e bëra prej 50 mijë futbollistëve profesionistë anembanë globit kanë ngushtuar listën në përzgjedhjen aktuale dhe emrat e përfshirë do të selektojnë 11-shen ideale, duke vendosur një portier, 4 mbrojtës, 3 mesfushorë dhe 3 sulmues.

Nga lista prej  55 futbollistësh që ka bërë publike FIFA, shfaqet dukshëm dominimi i Spanjës me 12 lojtarë. Brazili është në vendin e dytë me 8 futbollistë në listën e më të mirëve, ndërsa më pas janë Gjermania dhe Anglia me nga 5 emra. Edhe nëse analizohen kampionatet më të mira në botë, sërish La Liga spanjolle është më e përfaqësuara me 22 futbollistë.

Pas kampionatit spanjoll, është Premier Liga me 18 lojtarë dhe më pas Seria A. Formacioni më i mirë i FIFA-s do të zyrtarizohet në 9 Janar në Zyrih, ditën kur do të jepet edhe “Topi i Artë”.

Top Channel