Durrës, shpërthim në një banesë

01/12/2011 21:25

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në zonën e plazhit natën e kaluar, duke shtuar pasigurinë për pronën dhe jetën te banorët e shumtë të zonës.

Ky është shpërthimi i dytë brenda një muaji që i bëhet së njëjtës godinë banimi në plazhin e Durrësit, duke e shkatërruar plotësisht atë.

Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, pasi e gjithë familja Kajana ndodhet në Itali ku ka emigruar prej disa vitesh.

Por shkatërrimi i kësaj prone, ka dëmtuar dhe shtëpinë e një familjeje fqinje. Të gjitha dyert e dritaret e familjes Mici janë dëmtuar rëndë nga shpërthimi, që ndodhi në afërsi të ish-frigoriferit në plazh.

Agjentët e anti-krimit ndaj pronës kanë shoqëruar në polici 5 persona, pjesëtarë të një familjeje që pretendon pronësinë e truallit mbi të cilin është ngritur shtëpia tashme e shkatërruar e kryefamiljarit Petro Kajana.

Ndonëse pista e hetimit është përcaktuar, burime policore bëjnë të ditur se ende nuk ka asnjë të ndaluar për këto shpërthime dhe po punohet për sigurimin e provave që inkriminojnë të dyshuarit.

Një tjetër shtëpi u dëmtua nga shpërthimi i një granate të hedhur mbi të javën e kaluar, në të njëjtën zonë të qytetit të Durrësit, në plazh ku konfliktet për pronësinë janë të shumta.

Top Channel