Allegri: Juventus, kandidate për titull

01/12/2011 18:00

Massimiliano Allegri është shprehur se Juventusi është tashmë një kandidate për fitimin e titullit kampion të Serisë A. Trajneri i Milanit ka theksuar se bardhezinjtë treguan me barazimin 3-3 në San Paolo se qëndrojnë me meritë në krye të renditjes.

“Juventus kryeson klasifikimin me meritë për vetë faktin se është i vetmi ekip që nuk ka pësuar humbje në Serinë A deri tani. Të martën ndaj Napolit tregoi forcë kur barazoi pas disavantazhit 3-1 dhe tashmë është një favorite e qartë për titullin”, tha Allegri, i cili shtoi se Milani është në një seri pozitive rezultatesh (6 fitore dhe 1 barazim në 7 ndeshjet e fundit) dhe duhet të vazhdojë këtë seri ndaj Genoas të premten në mbrëmje.

“Duhet të tregojmë forcën dhe karakterin tonë sepse është një transfertë e vështirë. Kam dyshime në sulm, nuk kam vendosur ende nëse në krah të Ibrahimovic do të luajë Robinho apo Pato. Gjithashtu do të vendos nesër nëse në krahun e majtë të mbrojtjes do të luajë Antonini apo Zambrotta”, shtoi Allegri.

Përsa i përket rinovimit të kontratës, Allegri u shpreh i bindur se do të vazhdojë të qëndrojë në pankinën kuqezi: “Galliani më ka premtuar se do të qëndroj deri në vitin 2014 dhe unë dua të qëndroj. Nuk ka asnjë problem, duhet vetëm të ulemi për të firmosur kontratën.”

Top Channel