Nafta, hetim Ministrisë së Brendshme

30/11/2011 19:45

Zgjerohet më tej skandali për cështjen e naftës përgjatë viteve 2009-2010. Punonjës të Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Prokurimit Publik janë nën hetim nga njësia task forcë, të paktën deri më tani, si të dyshuar se kanë shpërdoruar detyrën pas verifikimeve të kryera në tre tendera për naftën që i përkasin vitit 2009.

Burime të sigurta të Top Channel thanë se nga dosja voluminoze e skandalit të naftës “vergine” është ndarë hetimi për tenderat që i përkasin qershorit 2009, për të cilat është shpallur fitues shoqëria Euroil dhe presidenti i saj Hajri Elezaj për të furnizuar me karburant institucionet kryesore në vend që nga Kryeministria, të gjitha ministritë, agjencitë e ndryshme shtetërore dhe deri te Shërbimi Informativ Shtetëror.

Burimet thanë se kanë dyshime se bëhet fjalë për qindra tonë karburant të fituar në këtë tender për të cilin ka dyshime se është kryer me shkelje të shumta.

Prokurorë të Tiranës nuk dhanë asnjë emër punonjësish nën hetim për momentin, për shkak të sekretit hetimor, por deklaruan se hetimet dhe verifikimet po kryhen në dy institucione, në Ministrinë e Brendshme dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Dosja e naftës “vergine”, prokororia mbyll hetimet

Vecmas dosjes së mësipërme, njësia task forcë ka mbyllur më në fund hetimet njëvjecare për skandalin e naftës “vergine”.

Informacioni konfirmohet nga burime të sigurta të Top Channel, të cilat thonë se në kërkesën për gjykim janë 16 të akuzuar që do të dërgohen këto dy ditë për gjykim në gjykatën penale të Tiranës.

Në këtë listë bën pjesë si i pandehur edhe subjekti Euroil SH.A, sipas burimeve, nën akuzë për pastrim të produkteve të veprës penale, mashtrim dhe falsifikim.

Ndërkohë, presidenti i kompanisë Euroil SH.A, Hajri Elezi përvec tre akuzave të mësipërme ka edhe një akuzë të katërt që është ajo e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit i caktuar me vendim gjykate, ai i arrestit shtëpiak.

Po ashtu, në kërkesën për gjykim është mes të pandehurve kryesorë edhe Iliaz Fisheku, administrator i Fisheku SH.A, nën akuzë nga prokuroria për mashtrim. Shefi i antikontrabandës detare Vlorë, Arian Daci akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.

Ndërkohë që punonjësi tatimor Dashamir Kasa për shpërdorim detyre. Katër shoferët e arrestuar dhe që më pas u liruan akuzohen për moskallëzim krimi dhe të njëjtën akuzë, thanë burimet, kanë edhe dy magazinierët Nikollaq Llozi dhe Fatmir Kaja.

Hetimet për skandalin e naftës “vergine” nisën në tetor të vitit 2010 dhe në mars u arrestuan 13 të dyshuarit kryesorë, por që të gjithë ata lanë qelitë, shumica për shkaqe shëndetësore.

Skema e eksportimit të naftës “vergine” funksiononte në mënyrë të tille, pothuajse 20 mijë tonë naftë e tillë është eksportuar në mënyrë fiktive, me autobotë që shkonin në Durres, ndërsa në dokumente shënohej sikur ngarkesa kishte kaluar nëpërmjet portit të Vlorës dhe ishte eksportuar me anijet “Ritas” dhe “Calitea”, në një kohe që ajo realisht shitej në tregun e brendshëm duke mashtruar qytetarët shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA