Trapattoni zgjat kontratën me Irlandën

29/11/2011 16:10

Giovanni Trapattoni ka zgjatur kontratën e tij si trajner i kombëtares irlandeze të futbollit deri në vitin 2014, me objektivin për të arritur kualifikimin në botërorin e Brazilit.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata Irlandeze e Futbollit (FAI).

“Është një nder i madh për mua që të përfaqësoj Irlandën dhe të vazhdoj këtë aventurë të rëndësishme në karrierën time”, theksoi trajneri italian.

72-vjeçari ka marrë detyrën e trajnerit të kombëtares irlandeze në vitin 2008 dhe ka fituar besimin e drejtuesve të federatës për zgjatjen e kontratës pasi arriti të mposhtë në play-off Estoninë me rezultatin e përgjithshëm 5-1 duke kualifikuar skuadrën e tij për në kampionatin europian që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.

Nuk është bërë e ditur zyrtarisht paga e trajnerit veteran, por mediat publikojnë se Trapattoni ka pranuar ta ulë nga 1.8 në 1.5 milionë euro.

Top Channel