Barca inferiore ndaj Realit

29/11/2011 16:25

Barcelona rrezikon më shumë se kurrë këtë sezon të distancohet nga lufta për titullin në kampionatin spanjoll të futbollit. Katalanasit që kanë dominuar në La liga dhe në Champions vitet e fundit, tashmë janë në vendin e dytë dhe kuotat e basteve kanë vendosur Realin si fituesin potencial, duke spostuar Barcelonën.

Trajneri Guardiola, ka bërë apel për një lojë më të mirë, nëse kërkojnë rikonfirmimin si kampionë.

“Jo gjithmonë mund të jesh në krye të kampionatit, por e vërteta është se aktualisht është hera e parë që jemi nën një ekip tjetër në Spanjë. Kjo mund të ndodhë, sepse jemi duke luajtur kundër Real Madridit. Ne e dimë se kemi një rival shumë të fortë mbi ne dhe ne jemi të gatshëm t’i mposhtim në sfidën direkte. Ne duhet të përmirësohemi, ose kurrë nuk do t’i arrijmë”, tha trajneri i Barcelonës për sfidën e 10 dhjetorit.

“Ne jemi në nivel të mirë, por kjo nuk mjafton për të qenë lider në tabelë. Ne do të tentojmë shumë deri në ditën e fundit të sezonit. Unë nuk e di nëse do të jetë e mjaftueshme për t’u bërë kampionë, por do të tentojmë. Këtë vit kemi shënuar më shumë gola nga linja e dytë e sulmit me Fabregas, Ksavin dhe Iniestën. Por duhet të arrijmë një balancë me sulmin”, u shpreh Guardiola.

Top Channel