Lideri i Partisë Socialiste Edi Rama uroi nga Prishtina të gjithë
shqiptarët për festën e flamurit. Ai në të ditën e tretë të vizitës në
Kosovë, u prit nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryetari i
Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, kryetari i lëvizjes
Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në takimin me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, lideri socialist vlerësoi se duhet realizuar aspiratën e brezave të rinj për integrime europiane. Nga ana e saj presidentja e Kosoves vlerësoi arritjet në Shqipëri dhe sipas një njoftimi për shtyp, ajo ka thënë se demokracia parlamentare ka arritur sukses.
Programin e Partisë Socialiste për unifikimin e sistemit arsimor, Rama e prezantoi edhe në lëvizjen Vetëvendosje, për të cilin tha se duhet realizuar sa më parë, dhe për këto dhjetë vjet është humbur kohë dhe nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.
Por pavarësisht pajtimit në shumë cështje, Edi Rama dhe Albin Kurti ndahen për sa i përket cështjes së bashkimit kombëtar.
“Në këtë pikë kemi një dallim. Ne jemi absolutisht kundër çdo lloj politike shndërrimi territoresh. Për ne është e panegociueshme asnjë copë tokë e territorit shqiptar apo kosovar. Për aspektin tjetër ne duhet të integrojmë shqiptarët kudo që ndodhen”, tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
“Shqiptarët kanë nevojë dhe mirëpresin integrimin e jashtëm në organizmat e ndryshëm ndërkombëtarë. Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që integrimi i jashtëm nuk është zëvendësim për integrimin e brendshëm, që shqiptarët pavarësisht kufjve që i ndajnë padrejtësisht, të takohen dhe të baskkëpunojnë, sepse kombi nuk është vetëm kulturë edhe vetëm gjuhë, por njëkohësisht është edhe politikë kombëtare dhe ekonomi kombëtare”, tha Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje.
Në fillim të fjalës së tij, Rama vlerësoi lart angazhimin e lëvizjes Vetëvendosje duke e quajtur atë pasuri kombëtare.
Ndërsa në takim me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, u diskutua për zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe ato në Republikën e Shqipërisë, me theks të vecantë për zhvillimet në Veri të Kosovës.
Biseduan për cështjet vitale, si sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik etj. Edhe kryetari, Mustafa e njoftoi z. Rama me vizonin që ka LDK-ja lidhur me këto cështje.
Unifikimi i sitemit arsimor ishte tema e diskutimit edhe në takimin me Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. Kryeparlamentari kosovar e njoftoi liderin e Partisë Socialiste për zhvillimet e fundit në Kosovë sidomos për ngjarjet në veri.
Sa i përket bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kreu i legjislativit kosovar vuri në pah nevojën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet dy vendeve. Edi Rama takoi edhe përfaqësuesit e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Top Channel