Me çfarë shpirti e festojmë 28 nëntorin

28/11/2011 18:55

Në ditën e festës së pavarësisë, një pyetje e madhe është: Si festohet kjo ditë prej shqiptarëve? Flamuj në dritare, koncerte nëpër rrugë dhe gëzim në trevat shqiptare, por kamerat e “Top Channel” shkuan më tej, në brendësinë e vatrave familjare.

Familja e Nënë Bules është një prej atyre familjeve që 28 nëntorin e festojnë njësoj si dita e Vitit të Ri. Flamuri në ballkonin e tyre, varet çdo vit në këtë ditë. “Flamurin e ka vënë djali me gjithë nipin. E vendosin çdo vit”, shprehet e moshuara. “Kam nipin shtatë vjeç që më pyet se kur do ta vendosim flamurin shqiptar. Të gjithë e festojmë”.

Tradita e festimit ndiqet jo vetëm nga ata, por edhe fëmijët nipërit e mbesat. “Fola me vajzën që jeton në Itali. E pyeta në kishte marrë flamur shqiptar dhe i thashë që ta vendosë në ballkon, që ta tregojë se është familje shqiptare”. Edhe në kuzhinë, pavarësisht mundësive financiare, gatuhet diçka më shumë dhe më e mirë.

Në një tjetër familje në kryeqytet, tek ajo e nënë Llambros, është programuar gjithashtu një menu e veçantë. “Do të bëjmë një ëmbëlsirë, pasi kjo është një ditë e shënuar”, shprehet ajo.

Përveç nënave që përgatisin drekën, të tjerë kanë dalë jashtë për të shijuar atmosferën festive të kësaj dite. Megjithatë, nëse sot ka vetëm aktivitete me koncerte, dikur i gjithë populli ngrihej në këmbë për të parë paradat.

“Më përpara e festonim edhe më shumë, pasi ishim në ndërmarrje dhe na detyronin që të dilnim të gjithë së bashku. Ishim të detyruar ta festonim. Megjithatë, ka qenë e bukur edhe ajo kohë”, shprehet një e moshuar duke kujtuar vitet e komunizmit.

Kur bëhet krahasimi përpara dhe pas viteve 1990, diskutohet shpesh se në dy dekadat e fundit, ndienja e patriotizmit është zbehur. Në fakt, ka edhe shumë njerëz që këtë ditë e shijojnë vetëm si një ditë pushimi. Por, një sy sadopak i kujdesshëm, nuk e ka të vështirë të shikojë se si në ballkonë, vit pas viti valëviten gjithmonë e më shumë flamuj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA