Skëndërbeu riafirmon supremacinë

26/11/2011 19:55

Skënderbeu ka nisur të tregojë në fushën e lojës se e meriton statusin e kampionit në fuqi.

Pas fitores 2-1 me Flamurtarin një javë më parë në fushën e tij, në këtë javë ekipi ka arritur të mposhtë Vllazninë në “Loro Borici” me rezultatin 0-2.

Golat për korçarët u shënuan në minutën e 18-të nga kapiteni Blendi Shkëmbi dhe nga Gjergji Muzka në minutën e 67-të me 11-metërsh.

Atmosfera në shkallët e stadiumit ishte festive, megjithëse për Vllazninë ndeshja nuk filloi aspak mirë pasi sulmuesi Xhevahir Sukaj nuk pranoi të ishte pjesë e skuadrës në këtë ndeshje.

Kjo, sepse sipas disa zërave të pakonfirmuara zyrtarisht, ai kishte kërkuar shlyerjen e detyrimeve financiare nga bashkia.

Ndërkohë, në Tiranë derbin kryeyqtetas e kanë fituar bardheblutë pasi mundën 1-0 Dinamon në “Qemal Stafa”. Goli i vetëm që i vlejti sa fitorja skuadrës 24 herë kampione të Shqipërisë ishte ai i Gilman Likës në minutën e 20-të.

Ndërkohë takimi tjetër i ditës së shtunë mes Bylisit dhe Apolonisë u fitua nga ballshiotët me rezultatin 2-1.

Top Channel