Mundje, Partizani merr titullin e pestë rresht

26/11/2011 20:40

Është zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, kampionati kombëtarë i mundjes së lirë dhe greko-romake për të rritur.

Ky aktivitet, më i rëndësishmi i këtij sporti, nxjerr në pah sportistët më të mirë të vitit dhe elementët nga të cilët do të përbëhen ekipet përfaqësuese.

Në stilin greko-romak kampion u shpall ekipi i Partizanit, për të pestin vit radhazi, pasi fitoi 4 nga 7 peshat e këtij stili.

Trajneri më mirë i kampionatit u shpall ai i Partizanit, Ermir Hasa. Në vendin e dytë u renditën Dinamo dhe në të tretin Berati.

Ndërkohë, në stilin e lirë titullin kampion për garën ekipore e fitoi Teuta me 27 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Tirana dhe Teuta B.

Ky aktivitet është ndër më të rëndësishmit për Federatën Shqiptare të Mundjes, e cila vitin e ardhshëm sportistët më të mirë do t’i cojë në aktivitetet ndërkombëtare kualifikues për olimpiadën Londër 2012.

Gjithashtu, në këtë turne u shpallën dhe sportistët më të mirë, për stilin greko-romak u shpall mundësi i Beslidhjes, Miraldo Ndoka në peshën 74 kg, ndërsa në stilin e lirë dhe në tërësi të të gjithë kampionatit sportisti më i mirë u shpall Sahit Prizreni, në peshën 66 kg.

Vec sportistëve ky kampionat përcaktoi edhe trajnerët e përfaqësueseve që janë, për stilin greko-romak Ermir Hasa dhe për stilin e lirë Fuat Brahi.

Top Channel