SOS Saranda! Kjo është thirrja e dëshpërimit, që vjen nga kryetari i
Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa. Rast i paprecedent, kur një kryetar
bashkie pranon publikisht pafuqinë e tij përballë pushtetit të gjykatës.
I zgjedhur kryetar i bashkisë në zgjedhjet e fundit, Stefan Çipa ka bllokuar të gjitha ato leje ndërtimi të dhëna pak përpara zgjedhjeve, që në gjykimin e tij janë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin. Por ndërtuesit kanë gjetur një aleat në gjykatën e Sarandës, që me disa vendime ka rrëzuar pezullimet e Bashkisë. Në këto raste gjykata ka thënë se do të shprehet pas gjykimit të cështjeve në themel.
Ajo që kryetari i Bashkisë i ndruhet, është se edhe nëse gjykata në një moment të mëvonshëm i jep të drejtë Bashkisë, objektet deri atëhere do të jenë ndërtuar dhe në atë moment do të jetë e vështirë të prishen. Në një thirrje prekëse, Stefan Çipa thotë se i ka njoftuar të tërë.
“U kërkoj personaliteteve dhe institucioneve që kanë marrë denoncimet e mia, me cilësinë e kryetarit të Bashkisë, Sarandë, që në kompetencat që u jep ligji të vënë në lëvizje strukturat vartëse për të shpëtuar Sarandën. Saranda është në rrezik nga shkatërrimi urban, që mund ta shuajë si qytet turistik. Të shpëtojmë të gjithë së bashku cfarë të mundemi dhe cfarë ka mbetur. Zoti President, zoti Kryeministër, zoti ministër i Drejtësisë, zonja Prokurore e Përgjithshme, zoti kryetar i KLSH-se, zoti nënkryetar i KLD-së ma dëgjoni zërin të shpëtojnë Sarandën, sepse ky qytet është i të gjithëve, është edhe i juaji”, thotë Çipa.
Perlë e vogël buzë Jonit, Saranda vitet e fundit i është nënshtruar një bumi ndërtimesh. Shpesh pa kriter, kjo situatë që është denoncuar edhe nga Top Channel në rubrikën Shqipëria tjetër. Saranda është një destinacion turistik i preferuar. Vetëm vitin e fundit qyteti është vizituar 2 herë nga Presidenti i Republikës. Kurse kryeministri duket se ka një dobësi për zonën e Xarrës, me kryetarin socialist të së cilës ka një bashkëpunim të mirë.
Top Channel