Somali, lirohet anija italiane

25/11/2011 18:15

Një anije italiane e marrë peng që prej 21 prillit nga piratët në brigjet e Somalisë është liruar ditën e premte.

Lajmin e bën të ditur agjencia italiane “ANSA”. Anija “Rosalia D’Amato” u sekuestrua nga piratët teksa ishte në lundrim e sipër në detin Arabik.

Në bord ndodheshin 22 persona, 16 shtetas filipinas dhe 6 shtetas italianë. Sulmi ndodhi rreth 320 milje në jug të Omanit dhe rreth 300 milje në lindje të ishullit Sokotra.

Piratët, pasi kishin marrë nën kontroll anijen, detyruan nën kërcënimin e armëve kapitenin e saj që ta drejtonte mjetin lundrues drejt brigjeve somaleze.

Lirimi i “Rosalia D’Amato” vjen pak kohë pasi një tjetër anije italiane u lirua nga duart e piratëve somalezë, këtë herë falë ndërhyrjes së forcave speciale angleze.

Ndërsa për lirimin e së premtes nuk dihen ende detajet dhe gjendja shëndetësore e 22 marinarëve që ndodheshin në bord.

Top Channel