Rafati kishte frikë nga gabimet

25/11/2011 20:30

Babak Rafati, arbitri gjerman i cili tentoi vetëvrasjen të dielën e kaluar pak para se të zbriste në fushë për gjykimin e një ndeshjeje të Bundesligës, nuk duroi dot “presionin e mediave” dhe “frikën e gabimeve” në fushën e lojës, sipas avokatit të tij.

Të dielën e kaluar Rafati preu damarët në tualetin e dhomës së hotelit disa orë para se të arbitronte takimin Koln-Mainz. Nëpunësit e hotelit e gjetën pa ndjenja dhe e dërguan menjëherë në një spital të Këlnit, ku gjyqtari qëndroi dy ditë i shtruar dhe tashmë po trajtohet për depresion.

Avokati shpjegoi të premten motivet kryesore të kësaj tentative vetëvrasjeje: “Zoti Rafati mendon se kjo gjendje erdhi për shkak të presionit të madh që kanë ushtruar mediat mbi performancat e tij në ndeshjet e kampionatit gjerman të futbollit së bashku me një ndjenjë frike ndaj gabimeve në gjykim që mund të bënte. Këto 2 faktorë i krijuan një ngarkesë të madhe psikologjike.”

Në komunikatë bëhet e ditur se Babak Rafati vuante nga depresioni prej një viti e gjysmë dhe se “problemet e përditshme i dukeshin të papërballueshme”.

Gjithsesi, avokati thekson se klienti i tij nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në gjykim pasi të ketë kapërcyer problemet shëndetësore.

Top Channel