Cassano rikthehet në stërvitje

25/11/2011 10:35

20 ditë nga një operacion në zemër, Antonio Cassano u rikthye të premten në stërvitje me Milanin.

31-vjeçari u pa duke vrapuar dhe duke bërë ushtrime të lehta për 40 minuta, ndërsa grupi i futbollistëve i rezervoi një pritje të ngrohtë, duke duartrokitur hyrjen e tij në fushën e lojës.

Pas një ndeshje me Romën, në fund të tetorit, Cassano u ndie keq dhe u shtrua në spital, ku u verifikua që ai kishte patur një ishemi në tru, si rrjedhojë e një problemi në zemër. Pas operimit, mjekët konfirmuan se ai mund të rikthehet në futboll, por vetëm pas një riaftësimi gradual, që do të ndodhë në 3-4 muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, Milani është duke u përpjekur të identifikojë një goditje të rëndësishme në merkato, për të mbuluar sulmin gjatë mungesës së Cassanos. Ndonëse u përfol për Drogbanë, debutimi i tij në Champions League në ndeshjet e fundit e rrëzon pistën, pasi afrikani nuk do të ishte në gjendje të luante në Europë.

Sipas mediave italiane, në këto kushte, është sulmuesi i Manchester City, Carlos Tevez, ai që është vendosur në qendër të vëmendjes.

Top Channel