Numri i azilkërkuesve shqiptarë në Bruksel ka rënë në mënyrë të
ndjeshme. Pas një bumi në muajin tetor, kur 342 persona kërkuan azil në
Belgjikë, gjatë muajit nëntor ka patur vetem 70 kerkesa, një fluks që ka
qenë normal edhe para liberalizimit të vizave.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Kufirin dhe Migracionin, Pëllumb Nako analizon per Top Channel situaten.
“Dua të theksoj faktin që numri në vetvete nuk është një shqetësim, sepse po të shohësh edhe raportet me vitet e tjera shifrat janë të përafërta, pra fenomeni i kërkesës për azil nuk është automatikisht i lidhur me fenomenin e liberalizimit të vizave, sepse ky fenomen ka qenë edhe para vizave, sidomos me shtetin e Belgjikës. Ajo që u vu re me shqetësim, si nga ana jonë, si nga ana e autoriteteve belge nuk është numri i madh i shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil, sesa është shqetësim problemi i rritjes së menjëhershme të këtyre kërkesave. Kështu që një fenomen i tillë, ra në sy dhe u bë evident, qoftë nga ana e autoriteteve belge, qoftë edhe nga ana jonë”, tha Nako.
Zoti Nako shpjegon se shumica e azilkerkuesve ne Belgjike perdornin si argument gjakmarrjen dhe hakmarrjen.
“Për të identifikuar një problem, duhet njohur i gjithë konteksti dhe ne sigurisht që na intereson, se cili është motivi, mënyra që veprohet apo cfarë problemesh kanë. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacioneve me palën belge na ka dhënë një ide të qartë të kësaj cfarë ndodh. Pjesa më e madhe janë në disa zona të veriut apo verilindjes dhe motivi kryesor është motivi i gjakmarrjes”, sqaron Nako.
Sipas zyrtarit te policise, per cdo person qe kerkon azil ne vendet e zones shengen, kjo nuk eshte aspak nje zgjidhje, pasi heret a vone keta shtetas do te deportohen.
“Theksoj se nuk ka hapësira për të kërkuar azil nëpër vendet e Bashkimit Evropian, vetëm do të lodhen, vetëm do të vërtiten dyerve dhe në fund të fundit një ditë ata do të kthehen. Kthimi është në dy forma është kthim me dëshirë, është edhe kthim me forcë nga ana e autoriteteve”, thotë zyrtari.
Top Channel