
Pothuajse 100 metra larg kryqezimit te Stacionit të Trenit në Tiranë,
ose thënë ndryshe me terma teknikë, në te djathtë të zgjatimit të
bulevardit kryesor, është vendosur të ndërtohet Pallati i Drejtësisë,
një investim ky që do të grumbullojë në një kompleks godinash të gjitha
gjykatat në kryeqytet, së bashku me Prokurorinë dhe Këshillin e Lartë të
Drejtësisë.
Ky projekt përfshin financimin prej 14 milionë eurosh, prej të cilave 12 milionë euro nga Bashkimi Europian, në kuadër të projektit ‘IPA 2012’ dhe 1, 8 milionë euro nga buxheti i shtetit shqiptar.
Ministri i Drejtesise Eduart Halimi shpjegon detajet e metejshme, per ndertimin e Pallatit te Drejtesise ne Tirane, një sfide kjo, e cila u përmend jo pak herë ndër vite, por që mbeti në tentativë.
“Së bashku me Bashkinë ne kemi identifikuar sipërfaqen e truallit, ku do të ndërtohet kompleksi i drejtësisë. Ajo sipërfaqe trualli përbëhet nga 50 mijë metra katrorë, do të jetë në bulevardin e ri të Tiranës, menjëherë sapo nis bulevardi i ri në krahun e djathtë do të shtrihet një kompleks godinash ndër më modernet”, tha Halimi.
Sipas ministri Halimi ka garanci te plote se kesaj radhe plani per Pallatin e Drejtesise nuk do te deshtoje
“Ju jap garanci të plota se ky projekt do të funksionojë. E para, sepse vullneti i qeverisë dhe vullneti i Bashkimit Evropian, i ambasadorit Ettore Sequi, në lidhje me ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë është fondamental dhe është i jashtëzakonshëm. Së dyti, sipërfaqja ku do të ndërtohet Pallati është tokë shtetërore, por ashtu, sic ju jeni në dijeni, Parlamenti në fillim të këtij viti ka miratuar ligjin për ‘Mbrojtjen e investimeve të huaja’. Do të jetë rasti i parë, ku qeveria do të aplikojë mbrojtje të posacme për investimin që do të bëhet nga Bashkimi Evropian në Pallatin e Drejtësisë”, tha Halimi.
Po cilat jane institucionet që do të përfshihen në kompleksin e Pallatit të Drejtësisë?
“Do të vendosen në këtë godinë fillimisht Gjykata e Tiranës, Gjykata e Apelit të Tiranës, Gjykata Administrative e Tiranës, Gjykata Administrative e Apelit të Tiranës, do të vendoset edhe Dhoma Civile respektive e Gjykatës së Tiranës dhe Dhoma Civile respektive e Apelit të Tiranës. Pra në tërësi të gjitha gjykatat e nivelit të parë dhe të nivelit të dytë, që ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë. Po kështu do të vazhdojmë me ndërtimin e dy godinave të reja, në të cilat do të përfshihet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe më pas me ndërtimin e godinave më moderne, të cilat nuk do të kenë akses për publikun, ku do të jetë Prokuroria e Përgjithshme, në një godinë të qelqtë, e cila jep edhe perspektivën e gjithë zhvillimit të ri të bulevardit dhe një godinë tjeter të po këtyre përmasave, ku do të vendosen Këshillat e Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”, sqaroi Halimi.
Jashte Pallatit të Drejtësisë do të jetë si godinë me vete aty ku edhe ndodhet, vetëm Gjykata e Krimeve të Rënda, e financuar nga Bashkimi Europian dhe e koncpetuar ne menyre te tille, që të jetë me korridorë të nëndheshme, për t’u lidhur me paraburgimin.
Pallati i Drejtësise do të jetë pjesë e ndërtimeve të reja në Tiranë, që parashikon edhe zgjatimin e bulevardit dhe zhvendosjen e Stacionit te Trenit, me ne periferi te kryeqytetit.
Top Channel