Korcë, bllokohen 37 kg marijuanë

24/11/2011 09:20

Forcat e policisë së qarkut të Korcës kanë kryer në orët e para të mëngjesit të së enjtes një operacion anti-drogë, gjatë të cilit janë konfiskuar 37 kg lëndë narkotike.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave droga e sekuestruar është e llojit marijuanë.

Ndërkohë, nënvizojnë burimet, gjatë operacionit janë ndaluar edhe tre persona me lidhje familjare mes tyre. Ata janë shtetasit Kudret, Altin dhe David Bylykbashi.

Burimet saktësojnë se lënda narkotike kishte si destinacion tregun e Greqisë dhe shtojnë se një tjetër person, Bernard Bylykbashi, është shpallur në kërkim.

Sekuestrimet e drogave të lehta janë bërë pothuajse të përditshme në vend. Ditën e diel 10 kilogramë marijuanë u sekuestruan pas një kontrolli të kryer nga policia kufitare në pikën doganore të Kakavijës.

Burime policore informuan se në pranga ra shoferi i mjetit, Pëllumb Danaj, si i dyshuar për përkatësinë e lëndës narkotike. Droga ishte fshehur në një kuti kartoni dhe ishte vendosur së bashku me valizhet e pasagjerëve.

Ndërsa ditën e premte, katër trafikantë shkëmbyen zjarr me policinë greke pranë pikës doganore të Qafë Botës dhe pasi braktisën në vendngjarje 337 kilogramë hashash, arritën të tërhiqeshin brenda kufirit shqiptar.

Po gjatë asaj dite, policia e Gjirokastrës vuri në pranga tre shtetas, ndërsa prisnin autobuzin e linjës Gjirokastër-Tiranë. Në çantat e tyre u zbuluan dhjetë kilogramë kanabis. Sipas informacioneve, lënda narkotike ishte blerë në Lazarat dhe kishte si destinacion përfundimtar Kosovën.

Gjithashtu, gjatë javës së kaluar, 30 kilogram kanabis u ndaluan në qytetin e Vlorës, ndërsa policia greke shkatërroi një rrjet shqiptar dhe sekuestroi 120 kilogram lëndë narkotike, në një operacion ku tre shtetas u vendosën në pranga.

Top Channel