Qeveria e Kosovës nuk e mbështet idenë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për shpalljen e pavarësisë së asaj pjese nga Serbia. Numri dy i ekzkutivit kosovar Hajredin Kuci, duke iu referuar kësaj cështje tha se qeveria e Kosovës nuk premton gjëra të cilat nuk mund t’i mbrojë.

“Shqiptarët kudo që janë, nuk mund të luajnë rolin e paternalitetit, as të nënës as të babait. Ne jemi vëllezër të barabartë, në këtë drejtim secili e ka politikën e vet, i ndihmojmë në interesat e përgjithshme nacionale, por ne i ftojmë ata që të punojnë shumë me faktorin ndërkombëtar, të ruhen të drejtat e tyre nacionale dhe njerëzore, por dhe të punojmë për integrim, dhe asnjëherë nuk u premtojmë atyre dhe askujt tjetër, gjëra qe ne s’mund t’i mbrojmë”, deklaron Hajredin Kuci, zv/kryeministër i Kosovës.

Idetë për ndryshimin e kufijve numri dy i qeverisë i klasifikoi si ide të cilat gjenerojnë kriza dhe Kosova sipas tij, është për respektimin e plotë të kufijve dhe integrimin në Bashkimin Europian. Se sa po arrin Kosova të mbrojë kufirin verior të saj, marrë parasysh kërcënimin e serbëve për shkëputje të kësaj pjese, zv/kryeministri kosovar jep këtë vlerësim:

“Veriu momentalisht është i zaptuar nga kriminelët, por ata nuk do të jenë legjitim asnjëherë dhe po ashtu nga pozita e zv/kryeministrit i porosis shqiptarët kudo, edhe në Preshevë që politikë me inercion nuk bëhet”, shtoi zoti Kuci.

I kontaktuar me telefon kryetar i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha se nuk do të paragjykojë qëndrimin e qeverisë së Kosovës karshi kësaj cështje. Sipas tij qeveria e Kosovës aktualisht po merret me ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës të cilën edhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës e mbështesin.

Mustafa shfaqi besimin se qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë vullnetin e qytetarëve të Luginës në momentin që Kuvendi i Këshilltarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të dalë me qendrim të përbashkët.

Kuvendi, sipas Ragmi Mustafës pritet të reagoi në mënyrë të  ngjashme sikurse do të reagonin serbët e veriut të cilët kanë paralajmëruar shpalljen e pavarësisë.

Top Channel