KESH: Borxhet e “CEZ” nga 2010

23/11/2011 19:45

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare hedh poshtë si totalisht të pavërtetë deklaratën e bërë nga përfaqësuesit e kompanisë “CEZ Shpërndarje”, lidhur me borxhin që kjo kompani i ka KESH-it.

Përmes një deklarate KESH sqaron se, është i pavërtetë pretendimi i “CEZ”, se borxhi ndaj KESH është i trashëguar dhe është krijuar kur sektori i shpërndarjes së energjisë ishte në varësi të shtetit (ish-OSSH).

Për të sqaruar opinionin publik, KESH bën me dije se borxhi në vlerën e 55 milionë eurove, që së bashku me kamatvonesat kap vlerën e rreth 58 milionë eurove, një debit që njihet edhe nga “CEZ Shpërndarje”, është krijuar duke filluar nga muaji nëntor i vitit 2010 e në vijim.

Pra, “CEZ Shpërndarje” ka 13 muaj që nuk i paguan KESH-it energjinë që ai e furnizon dhe që më pas iu kalon konsumatorëve. Si pasojë e këtyre detyrimeve të papaguara, thuhet në deklaratë, të cilat “CEZ Shpërndarje” duhet t’i kishte paguar në bazë të kontratës që ka me KESH-in.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ndodhet aktualisht në vështirësi financiare. KESH thotë se po importon aktualisht energji duke përdorur 45 milionë euro overdrafte që i ka marrë për të garantuar burimet për blerjen e energjisë elektrike dhe për të furnizuar pa ndërprerje konsumatorët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA