Buemi dhe Schumacher, pilotët që parakalojnë më shumë

23/11/2011 09:15

Sipas një raporti të publikuar nga skuderia Mercedes, zvicerani Sebastian Buemi (Toro Rosso) dhe Michael Schumacher (Mercedes GP) kryesojnë renditjen e pilotëve që kanë parakaluar më shumë gjatë këtij sezoni të Formulës 1.

Ky ka qenë kampionati me më shumë parakalime në 61 vite histori të Formulës 1 dhe kjo për shkak të futjes së sistemit DRS, sistem që favorizon këtë manovër.

Skuderia gjermane llogarit se nga 804 parakalime “të pastra”, 363 janë arritur falë DRS-së. Në këtë llogaritje janë përjashtuar parakalimet në xhiron e parë, parakalimet që kanë ardhur si pasojë e problemeve të makinës së kundërshtarit e madje nuk janë numëruar as parakalimet ndaj makinave Virgin, HRT dhe Lotus. Nëse do të përfshihen, numri i parakalimeve në këtë sezon është rreth 1400.

Buemi me 112 parakalime kryeson këtë renditje kur duhet edhe një garë në përfundim të sezonit 2011, i ndjekur nga Schumacher me 111. Në vend të tretë ndodhet Kamui Kobayashi me 95, Jaime Alguersuari me 90 dhe Sergio Perez me 89.

Cmimi i Madh me më shumë parakalime ka qenë ai i Turqisë (85), i ndjekur nga Cmimi i Madh i Kanadasë (70) dhe ai i Kinës (67).

Top Channel