Beckham: Kam oferta nga Seria A

23/11/2011 21:55

David Beckham bëri me dije të mërkurën se ka një ofertë për t’u rikthyer në futbollin Italian, por theksoi se nuk ka vendosur ende nëse do të rinovojë me Los Anxhelos Galaksinë, kontrata me të cilët është në skadim.

36-vjeçari ka luajtur për disa muaj gjatë dy sezoneve të fundit në radhët e Milanit, por ish-kapiteni i kombëtares angleze nuk konfirmoi nëse janë kampionët e Italisë në fuqi ata që interesohen për shërbimet e tij.

Duke konfirmuar interesin e Parisit dhe Tottenhamit në drejtim të tij, Beckham tha: “Kam patur oferta nga disa vende të ndryshme, përfshi Serinë A. Kam kaluar një periudhë shumë të këndshme në Itali dhe e adhuroj atë vend, duke nisur nga futbolli i tij. Është një prej mundësive që më tërheqin më shumë”.

David, i cili më parë ka cilësuar se ka pak gjasa që ai të rikthehet në Premier League, tregoi raportin e tij me Parisin e drejtuar nga një miliarder arab. “Leonardo, drejtori i tyre sportiv ka folur me mua dhe më dërgon vazhdimisht mesazhe. Përpara finales së kampionatit amerikan, më uroi fat në një mesazh. Ky ishte një gjest që e vlerësova shumë”, shtoi Beckham.

Top Channel