ATP Londër, Federer mposht Nadal

23/11/2011 15:25

Roxher Federer i afrohet kualifikimit për në gjysmëfinale të turneut Masters të Londrës. Në ndeshjen e dytë të grupit B, tenisti zviceran shkatërroi totalisht rivalin e tij të përjetshëm Rafael Nadal duke e mundur me rezultatin 2-0.

Federer zhvilloi një ndeshje perfekte përballë spanjollit duke e mbyllur sfidën mes tyre në më pak se 1 orë. Numri 4 i renditjes botërore e fitoi setin e parë me rezultatin 6-3 falë edhe fitores së gejmit të gjashtë me shërbimet e Nadal. Seti i dytë nuk pati histori dhe Federer e mbylli atë me rezultatin e pastër 6-0 pasi e dominoi totalisht kundërshtarin e tij.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër të grupit Zho Vilfrid Tsonga mundi Mardi Fish me rezultatin 2-0. Seti i parë ishte i barabartë dhe Tsonga e fitoi atë 7-6. Në setin e dytë, rezistenca e tenistit amerikan ra dhe Tsonga e kontrolli mjaft mirë lojën duke e fituar këtë fraksion të lojës 6-1.

Në ndeshjet e fundit në grupin B, Tsonga do të luajë me Nadal për kalimin në gjysmëfinale, ndërsa Federer do të përballet me Mardi Fish.

Ndërkohë për Andi Murray shuhen përfundimisht shpresat për fitoren e turneut Masters të Londrës. Tenisti britanik u detyrua të tërhiqej nga aktiviteti për shkak të një dëmtimi. Vendin e numrit 3 të renditjes botërore do ta marrë serbi Janko Tipsarevic.

Top Channel