Trazira në ndeshjen Indonezi-Malajzi

22/11/2011 16:00

Dy tifozë kanë humbur jetën pasi u shtypën nga turma në një stadium në Indonezi gjatë ndeshjes së futbollit mes Indonezisë dhe Malajzisë.

Autoritetet indoneziane bënë me dije se shumë tifozë kishin mbetur të zhgënjyer pasi nuk mundën që të gjenin një biletë në stadiumin prej 80 000 vendësh. Për këtë arsye, mijëra prej tyre u vërsulën drejt dyerve të tij duke tentuar që të hynin pa biletë dhe duke shkaktuar panik në turmë.

Dy viktimat u shtypën në mes të turmës, ndërsa me dhjetëra numërohen të plagosurit.

Mediat vendase fajësuan autoritetet për tragjedinë, pasi prej ditësh tifozët kishin shkaktuar trazira në kuadër të ndeshjes që pritej.  Madje ekipi udhëtues i Malajzisë u shoqërua me mjete të blinduara në stadium, për shkak të atmosferës së ndezur të tifozëve vendas.

Top Channel