Thiago Silva: Messi ndalohet duke iu lutur Zotit

22/11/2011 16:00

Thiago Silva, mbrojtësi brazilian i Milanit, ka theksuar në një intervistë për Globoesporte.com se ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ndalohet vetëm duke iu lutur Zotit.

“Messi është një lojtar shumë teknik dhe i shpejtë. Kur e ke përballë duhet të fillosh t’i lutesh Zotit për ta ndaluar. Gjithsesi, jemi Milani dhe e dimë që mund të mposhtim katalanasit”, ka theksuar mbrojtësi duke iu referuar ndeshjes së ditës së mërkurë, ku kuqezinjtë do të përballen me katalanasit në San Siro.

“Jemi dy shkolla të ndryshme futbolli, por shpresojmë që të fitojmë kundër ekipit më të mirë në botë. Tre pikët do të na japin mundësinë të përfundojmë në vend të parë në grup dhe të kemi një short më të lehtë më pas”, shtoi braziliani.

Përsa i përket zërave që e lidhin me një transferim të mundshëm tek Barcelona, Thiago Silva tha: “Nuk ka asgjë konkrete. Gjëja më e rëndësishme është që tek Milani jam i lumtur dhe dua të fitoj Ligën e Kampioneve me këtë ekip. Sigurisht që tundohesh kur të kërkon një ekip si Barcelona sepse janë më të mirët për momentin, por edhe Milani po pëmirësohet vit pas viti.”

Top Channel