Në një takim me homologun e tij austriak, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i kërkoi vendeve të Bashkimit Europian të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë, për të realizuar tërheqjen e trupave të saj paramilitare nga veriu i Mitrovicës.

Siç raportoi “Telegrafi” ditën e martë, Hoxhaj vlerësoi në praninë e Michael Spindelecker, njëkohësisht zëvendëskancelar, se Viena mund të luajë një rol aktiv edhe në liberalizimin e vizave për të gjithë shtetasit kosovarë apo njohjen ndërkombëtare të shtetit.

“Austria ka dërguar gjithmonë sinjale të forta në përkrahje të Kosovës dhe ka kërkuar që ky shtet të trajtohet si të gjithë fqinjët e tij. Përsa i përket vizave, është e qartë që edhe kosovarët do të lëvizin të lirë, por rruga deri atje do të kalojë nga përmbushja e disa kritereve të domosdoshme. E rëndësishme është që Europa është e gatshme në këtë proces”, deklaroi numri dy i qeverisë austriake.

Nga ana e tij, Ministri Hoxhaj theksoi: “Nuk ka asnjë shtet tjetër në Europë, përveç Serbisë, që përmes grupeve paramilitare, strukturave ilegale mundet të administrojë një pjesë të territorit të një shteti tjetër. Ne kemi kërkuar përkrahjen e Austrisë dhe Europës në mënyrë që t’i bëhet Serbisë më shumë presion, që këto struktura të largohen nga Kosova. Diçka e tillë do t’i hapte rrugën integrimit të serbëve sipas planit të Ahtisaarit”.

Top Channel