Guardiola: Nuk kam probleme me Ibrahimovic

22/11/2011 19:30

Pep Guardiola, trajneri i Barcelonës, është shprehur në konferencën për shtyp para ndeshjes së të mërkurës Milan-Barcelona se do e takojë “me shumë normalitet” sulmuesin suedez Zlatan Ibrahimovic.

“Nëse do të përballemi sigurisht që do të përshëndetemi. Nuk kam asnjë problem me zotin Ibrahimovic”, tha Guardiola.

Ibrahimovic ka shkruar në librin e tij autobiografik se arsyeja e largimit të tij nga katalanasit pas sezonit 2009-2010 ka qenë pikërisht Guardiola.

“E humba fare dhe e ofendova rëndë. I thashë që e bënte në brekë para Mourinhos dhe shumë gjëra të tjera më të rënda se kaq”, shkruan suedezi në libër.

Ndërsa Massimiliano Allegri, trajneri i Milanit, ka theksuar se sulmuesi i tij kryesor është shumë i qetë para kësaj sfide.

“Ibra është i qetë dhe i motivuar si të gjithë lojtarët e tjerë të ekipit. Nuk besoj se ka ndjenja hakmarrjeje ndaj Guardiolës apo Barcelonës. Gjithsesi, do i japim të pijë valium nësa ka nevojë”, tha duke qeshur Allegri.

Përsa i përket ndeshjes, tekniku italian theksoi: “Barcelona është ekipi më i fortë në botë. Duhet të luajmë një ndeshje shumë të mirë në aspektin teknik nëse duhet të fitojmë, duhet të luajmë si një ekip i madh.”

Top Channel