Champions, kualifikohen Bayern, Inter dhe Real

22/11/2011 22:56

Pas Barcelonës dhe Milanit, janë Bayern Munich, Inter dhe Real Madrid skuadrat që u kualifikuan për në turin tjetër të Ligës së Kampioneve.

Gjermanët mundën 3-1 Villarealin në Allianz Arena dhe kualifikohen si të parët e grupit A. Dy golat e Ribery dhe ai i Gomez mjaftuan që bavarezët të mposhtin skuadrën spanjolle dhe të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive në Champions.

Cavani dhe Napoli fituan 2-1 me Manchester Sitin duke u ngjitur në vendin e dytë në grup e duke lënë për në ndeshjen e fundit shanset për kualifikim. Kundërshtari i ardhshëm për napolitanët do të jetë ekipi spanjoll i Villarealit, ndërsa anglezët e Mancinit do të presin Bajernin.

Interi mori atë që deshi në Turqi, barazoi 1-1 me Trabzonsporin dhe falë fitores 0-2 të Lillës në Moskë me CSKA, siguroi vendin e parë në grupin B dhe kalimin mes 16 skuadrave më të mira të këtij kompeticioni. Italianët kaluan në avantazh me Ricky Alvarez, ndërkohë që Trabzonspori barazoi me Halil Altintop. Do të jetë ndeshja e fundit në grup ajo mes Lilës dhe Trabzonspor që do të vendosë së cila nga këto dy skuadra do të vazhdojë më tej.

Manchester United barazoi 2-2 me Benfikën, duke vënë në vështirësi kualifikimin për më tej pasi ndeshja e fundit do të jetë ajo kundër Baselit, një ekip ky që ka shanse të barabarta kualifikimi me anglezët e Sër Ferguson.

“Djajtë e kuq”, përmbysën rezultatin falë golave të Berbatov e Fletcher, por Aimar vendosi barazinë në “Old Traford”. Baseli nga ana tjetër fitoi në Rumani 2-3 me Otelul Galatin.

Ka rezultuar një ndeshje kontrolli për Real Madridin ajo përballë Dinamo Zagrebit. Galaktikët e Mourinhos shkatërruan 6-2 kroatët duke rregjistruar dhe fitoren e 12-të rradhazi. Golat për Realin u shënuan nga Benzema Kalehon, Ozil dhe Higuain, ndërsa për Dinamo Zagreb shënoi kosovari Fatos Beqiraj dhe Tomecak.

Ndeshja e vetme e të martës që nuk pati asnjë gol ishte ajo mes Lionit dhe Ajaksit, që rrit shanset e holandezëve për të qënë të kualifikuarit e dytë në grup.

Top Channel