Van Basten lavdëron Barcelonën

21/11/2011 10:20

“Kjo Barcelonë ka disa herë më shumë cilësi se Milani i Sacchi-t, por ne ishim më të fortë fizikisht”. Kështu është shprehur Marco Van Basten, ylli i madh i Milanit të fillimviteve ’90 dhe idhulli i tifozëve kuqezinj.  

Ish-sulmuesi hollandez, tre herë fitues i Topit të Artë, është i mrekulluar nga katalanasit e Pep Guardiolës: “Do të më pëlqentë të luaja në një skuadër si Barcelona, e çliruar nga taktikat.”

“Ndryshimi mes Milanit ku luaja unë dhe kësaj Barcelone është se ne kishim një digë si Rijkaard para mbrojtjes, ndërsa ata kanë tre mesfushorë teknikë që pasojnë topin pa pushim dhe ndërrojnë pozicionet. Kjo është shumë e vështirë për tu bërë edhe pse nga jashtë duket e lehtë”, theksoi Van Basten në një intervistë për ‘El Mundo Deportivo’.

“Nëse shoh Barcelonën, nuk dua të shikoj më asnjë ndeshje tjetër në televizor sepse ka shumë diferencë. Barça është esenca e futbollit, teknika e tyre mbizotëron mbi aspektin fizik dhe taktik. Do të më pëlqentë shumë të luaja në një skuadër si kjo”, shtoi ish-sulmuesi hollandez.

Top Channel