Rritja e temperaturave

20/11/2011 00:00

Ndryshimi i klimës, gjatë viteve të fundit, ka bërë që vendi ynë të karakterizohet nga një dimër më i butë, pranverë më e ngrohtë, vjeshtë më e thatë dhe një verë e nxehtë.

Ndryshimi i temperaturave, i shoqëruar edhe me rritje të nivelit të detit pritet të sjellin  probleme në fushën e bujqësisë, por edhe në atë të turizmit. Ekspertët e Ministrisë së Mjedisit kanë saktësuar se nëse nuk do të investohet seriozisht gjatë 14 viteve të ardhshme  bujqësia do të jetë sektori më i prekur nga katastrofat natyrore.  

Tokat dhe kultivimi i kulturave të ndryshme do të pësojnë dëme të mëdha. Rritja e temperaturës do të bëjë që drithërat të korren më shpejt dhe mungesa e ditëve të ftohta gjatë periudhës dhjetor-janar mund të reduktojë efektet e zhvillimit të shpejtë të bimëve që rriten në temperatura të ftohta dhe si rrjedhojë do të zgjatet pjesa e parë e sezonit të kultivimit për grurin dimëror.

Ndryshimi i temperaturave do të ndikojë edhe në turizëm. Shqipëria në vitet e ardhshme do të jetë e orientuar drejt turizmit malor. Turizmi bregdetar do të preferohet më shumë në fund të pranverës dhe në fillim të vjeshtës. Rritja e nivelit të detit do të ndikojë në zhdukjen e disa plazheve dhe në krijimin e të rejave. Me rritjen e përllogaritur të temperaturave në verë, nga 2,8 në 5,6°C, pritet që turizmi të orientohet natyrshëm drejt maleve ose liqeneve, në vend të plazheve.

Nga ana tjetër, rritja e nivelit të detit në Shëngjin, mund të rrezikojë seriozisht ndërtimet turistike në këtë zonë.

Top Channel