Dy oficerë të policisë afgane janë vrarë në një përleshje me ushtarët e NATO-s, që po kryenin një operacion gjatë orëve të natës.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet afgane. “Zjarri aleat” u regjistrua në provincën e Gaznit, në jug-perëndim të Kabulit.
Dy oficerë të tjerë afganë mbëtën të plagosur, sipas njoftimit të guvernatorit të provincës.
Presidenti Hamid Karzai ka kërkuar vazhdimisht ndërprerjen e operacioneve të natës, që përdoren nga forcat ndërkombëtare për të kërkuar rebelë që fshihen në shtëpitë e civilëve.
Shefi i policisë në provincën e Gaznit, Dilauar Zahid deklaroi se të shtënat u regjistruan kur një autokolonë e NATO-s refuzoi të zbatonte kërkesat e oficerëve të policisë për ndalesë.
“Një autokolonë e trupave të huaja nga Kabuli ishte drejtuar për në Gazni, kur u ndal nga policia afgane. Ata hapën zjarr ndaj postobllokut të policisë, duke vrarë dy agjentët tanë”, deklaroi Zahid.
Ndërsa në një komunikatë të lëshuar më vonë nga komanda e NATO-s thuhet se, një patrullë e përbërë nga trupa të koalicionit dhe policia afgane kishte kërkuar mbështetje ajrore pasi postoblloku po sulmohej me granata, mortaja dhe armë zjarri.
“Pas shumë përpjekjeve për t’u identifikuar si trupa aleate, forcat e sigurisë nuk ishin në gjendje të shmangnin kërcënimin që vinte nga postoblloku dhe hapën zjarr, duke vrarë dy individë”, thuhet në komunikatë.
Top Channel