Shqipëria rrezikon “Londër 2012”

18/11/2011 15:45

Në komisionin parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit publik, deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, ka zbuluar një kërcënim serioz i ardhur edhe nga Agjencia Botërore Antidoping për testet e munguara në Shqipëri që mund të zbulojnë substancat e ndaluara.

“Në rast se nuk arrihet që të bëhen kontrollet, Shqipëria rrezikon pëjashtimin. Shteti ende nuk ka planifikuar se si do të bëhën këto kontrolle”, tha Ylli.

Nga ana e tij ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, theksoi: “Është e vërtetë dhe ne kemi marrë masa për këtë.”

VADA ka kërkuar që instuticionet sportive në Shqipëri të japin shpjegime për mosfunksionimin e komisionit antidoping shqiptar.

Ndërkohë, po sipas kësaj letre dërguar ministrit Bumçi dhe funksionarëve të tjerë të sportit thuhet se me 20 nëntor në mbledhjen e bordit drejtues ku do të shtrohet çështja e Shqipërisë mund të merren masa të rrepta lidhur me pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.

“Ndryshe nga vendet e tjera të botës, në Shqipëri ky komitet drejtohet nga zëvendësministri. Nuk është bërë asnjë kontroll dhe rrezikojmë skualifikimin”, shtoi Ylli.

Në këtë komision u diskuta buxheti i vitit 2012 dhe sidomos ai për sportin ka sjellë sërish debate mes ministrit Aldo Bumçi dhe deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli. Sipas Yllit, 200 milionë lekë janë shumë pak për sportin, në një vit kur pretendojmë të përfaqësohemi sa më mirë në “Londër 2012”.

“Në 424 milionë lekë, kemi 200 milionë lekë për stadiumin dhe ajo që ngelet për Olimpiadën është një buxhet mjeran. Është më i ulti në prag të një eventi të tillë sportiv”, nënvizoi Ylli.

“Buxheti do i pëgjigjet nevojave të federatave dhe këto nevoja plotësohen plotësisht”, u përgjigj ministri Bumçi.

Top Channel