F1, Petrov sulmon skuderinë Renault

18/11/2011 16:40

Vitaly Petrov, piloti rus i Renault, akuzoi skuderinë e tij për rendimentin e dobët të makinës gjatë pjesës së dytë të kampionatit botëror të Formulës 1.

“Kemi humbur shumë kohë gjatë pit-stop-eve, kemi humbur shumë kohë për shkak të strategjive të gabuara dhe kanë shkuar dëm rreth 10 gara”, theksoi Petrov për televizionin rus.

“Renault dukej e fortë gjatë 5 garave të para të seaonit. Nuk mund të konkurronim me Red Bull, McLaren apo Ferrari, por ishim më të shpejtë se Mercedes. Në 10 garat e fundit të kampionatit ne po pilotonim të njëjtën makinë me të cilën filluam sezonin. Nuk u bë asnjë ndërhyrje për të përmirësuar gjërat”, tha rusi, i cili është i nënti në renditjen e pilotëve me 36 pikë dhe me vetëm një podium të arritur, atë në Melburn të Australisë.

Më tej ai vazhdoi sulmin ndaj Renault: “Strategjitë kanë qenë të gjitha të gabuara. Nuk mund t’i thoja këto gjëra pasi përfundonte gara sepse në kontratë kam të shkruar që nuk duhet të flas keq për skuderinë, por nuk mund të qëndroj më i heshtur.

Vitaly Petrov, i cili është piloti i parë rus në historinë e Formulës 1, mendon se ka shumë mundësi që skuderia franceze ta zëvendësojë me një pilot tjetër pas garës së fundit të sezonit, atë të Brazilit.

“Formula 1 është një biznes. Nëse duan të të zëvendësojnë, do ta bëjnë edhe pse mund të kesh të nënshkruar një kontratë”, përfundoi Petrov.

Top Channel