12 shtetas maqedonas dhe serbe, mes të cilëve katër gra e vajza do të dëbohen nga Shqipëria për qëndrim të paligjshëm.
Të dymbëdhjetë të huajt ushtronin aktivitet tregtar ambulator kryesisht në tregtimin e artikujve kozmetikë dhe të përdorimit vetjak në zonën e Golemit në kundërshtim me kushtet ligjore që një i huaj duhet të plotësojë për ushtrimin e aktiviteteve me qëllim përfitimi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Drejtoria rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës bëri të ditur se gjatë kontrolleve të ushtruara në territorin kompetencë e kësaj drejtorie, shërbimet e Sektorit të Migracionit, Ripranimeve dhe ato të Stacionit të Policise Kufitare dhe Migracionit të Spillesë kanë konstatuar të parregullt qëndrimin në territorin shqiptar të 9 personave me shtetësi maqedonase dhe 3 personave me shtetësi serbe, përkatësisht nga mosha 18-40 vjec.
Gjithnjë e më shumë shtetasit serbë dhe maqedonas po shfrytëzojnë vendin tonë për të ushtruar aktivitete fitimprurëse.
Nga verifikimi i kryer rezultoi se këta shtetas kanë shkelur afatet e qëndrimit në territorin tonë, si dhe ushtronin aktivitet tregtar në mënyrë të paligjshme. Në këto kushte, bazuar ne Nenin 6 dhe 70 të ligjit “Për të huajt”, qëndrimi i tyre në Shqipëri konsiderohet i parregullt dhe për këtë u hartuan Urdhrat e Largimit.
Autoritetet policore paralajmëruan se në rast të moszbatimit vullnetar të këtyre urdhrave, largimi i të huajve do të kryhet në mënyrë të detyrueshme.
Top Channel