“Racizmi”, Blatter kërkon ndjesë, refuzon dorëheqjen

18/11/2011 16:55

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, i vendosur në qendër të kritikave për komentet e tij të fundit në lidhje me racizmin në futboll, kërkoi falje për to, por refuzoi të japë dorëheqjen.

“Mbreti” Blatter tha se deklarata e tij ishte e pahijshme dhe se kërkonte ndjesë për të, por se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.

Blatter pati deklaruar për rrjetin CNN, se ai nuk beson që ka racizëm në futboll dhe se lojtarët që mendojnë se kanë qenë të abuzuar, duhet thjesht të thonë “kjo është një lojë.”

“Nuk besoj se në futboll ka racizëm, ndoshta ka ndonjë gjest apo fjalë jokorrekte, por racizëm s’ka. Në të tilla raste futbollistët duhet ta kuptojnë se bëhet fjalë vetëm për një lojë dhe duhet t’i shtrëngojnë duart njëri-tjetrit”, pati deklaruar Blatter.

Ky ishte “skandali” i radhës i numrit një të futbollit botëror. Ai është vendosur shpesh në qendër të kritikave dhe akuzave nga më të rëndat, që nga ajo për korrupsion e deri tek konfliktet e interesit. Megjithatë, ai ka arritur t’u mbijetojë këtyre akuzave dhe kërkesave për dorëheqje duke vazhduar në vitin e tij të 13-të të mbretërimit në krye të FIFA-s.

Top Channel