Franca, Abidal refuzon shiritin e kapitenit

17/11/2011 17:40

Eric Abidal, mbrojtësi francez i Barcelonës, i ka thënë trajnerit të “Gjelave”, Laurent Blanc, se nuk dëshiron që të mbajë shiritin e kapitenit në kombëtare.

Sipas gazetës ‘L’Equipe’, arsyeja është se të qenit lideri i Francës “është një përgjegjësi që nuk përputhet me karakterin e lojtarit”.

“Abidal nuk dëshiron të ketë rolin e kapitenit në kombëtare. Duhet të vendos nëse kapiteni i ekipit do të jetë Hugo Lloris apo Philippe Mexes”, u shpreh trajneri Blanc.

Sipas gazetës, 32-vjeçari nuk do që të dalë para mediave sa herë që ndodhin incidente në grumbullimin e Francës.

Në kohën kur kombëtaren franceze e drejtonte Raymond Domenech, Abidal ka mbajtur shiritin e kapitenit në një ndeshje ndaj Turqisë, por pas takimit theksoi se nuk i pëlqente kjo gjë.

“Nuk mund të bëj ndërlidhësin mes brezave që ka në kombëtare. Nuk jam nga ata tipa që ngrenë zërin, që i kërkojnë trajnerit të ndryshojë skemën apo taktikën. Nuk mund të jem kapiten”, pati deklaruar Abidal.

Top Channel