
Gjatë një fushate të re gërmimesh në një zonë të Parkut Arkeologjik të
Antigonesë në Gjirokastër të pa eksploruar më parë, një ekip arkeologësh
shqiptarë arritën të zbulojnë një objekt unikal të përdorimit të
përditshëm familjar në lashtësi, një mekanizëm guri të punuar me
mjeshtëri që shërbente për të bluajtur.
Objekti i rrallë përbëhet nga dy platforma guri vullkanik abraziv, të cilat gjatë fërkimit me njera – tjetrën realizonin bluarjen në kushte familjare të drithërave dhe produkteve të tjera bujqësore.
Në këtë zonë gërmimet nxorrën në dritë një pjesë të madhe të murit kufizues të rrugës kryesore, një sipërfaqe të konsiderushme e bllokut të banesave të qytetit dhe një inventar të pasur me gjetje arkeologjike si, orendi të përdorimit të përditshëm familjar në qeramikë, mjete pune për teknologjinë e endjes së pëlhurës, një numër i madh mjetesh pune të përdorimit në bujqësi, 20 monedha të Koinon-it të Epirit, maja metalike heshte, objekte zbukurimi, pjesë amfore dhe pitosi.
Ekspertët e ekipit të arkeologjisë nën drejtimin e Prof. Dr. Dhimitër Condi kryen gërmime edhe në disa pika të sitit, ku nga shumë ekspertë vendas dhe të huaj dyshohet se ndodhej teatri i Antigonesë. Pavarësisht se nga këto sondazhe nuk u arrit të merrej informacioni i kërkuar për teatrin, pozicionin dhe zhvillimin e Antigonesë. Gjatë këtyre gërmimeve arkeologët nxorrën në dritë një Piedestal Tempulli në afërsi të Murit Rethues Fortifikues të pjesës perëndimore të qytetit.
Top Channel