Me një gjuhë jashtë kornizave politike, në fjalimin e tij të parë para parlamentit, kryeministri i ri i Greqisë, Lukas Papadhimos u ka bërë thirrje të gjithë grekëve të jenë të bashkuar, sepse vetëm me një mirëkuptim në shkallë kombëtare mund të përballohet kriza më shpejt dhe me kosto më të vogël.

“Situata të tilla luftohen me sukses vetëm kur bashkohen forcat e gjithë kombit dhe kjo është esenca e votëbesimit që iu kërkoj për qeverinë e re”, u është drejtuar ai deputetëve në sallë.

Papadhimos ka bërë të qartë se secilin e presin përpara ditë të vështira dhe se koha prej 100 ditësh që qeveria e tij disponon është tepër e pakët për një punë kaq të madhe, prandaj dhe zgjidhja është përshpejtimi i reformave.

“Pesha e kësaj detyre që ka në dorë kjo qeveri është kolosale në  proporcion me kohëzgjatjen për të cilën është rënë dakord  dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të fillojmë menjëherë të lëvizim dhe madje me një shpejtësi shumë të madhe”, tha Kryeministri i Greqisë, Lukas Papdhimos.  

“Qëndrimi në euro është alternativa e vetme për Greqinë”, ka thënë kryeministri i ri, duke përsëritur se objektivi kryesor i kabinetit të tij është zbatimi i marrëveshjes së samitit të 26 tetorit dhe i politikave ekonomike që lidhen me të.

“Unë besoj që asnjë prej nesh në këtë dhomë nuk dëshiron që ky vend të dorëzohet dhe të largohet nga euro. Për ata që mbështesin qeverinë unë besoj se është e qartë se kanë përgjegjësinë të mos e vënë vendin në rrezik që të braktisë Eurozonën. Vendi mund të shpëtohet dhe kjo  është në duart tona”, shtoi Papadhimos.  

Përderisa rezervat financiare të vendit janë të mjaftueshme vetëm për katë javë, prioriteti më emergjent ka thënë Papadhimos është lëvrimi i këstit të gjashtë të ndihmës ekonomike dhe më pas përfundimi i negociatave me Trojkën për nënshkrimin e marrëveshjes së re të ndihmës.

Të mërkurën pritet që parlamenti të japë votëbesimin për qeverinë e re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA