Autoritetet në Bosnje e Hercegovinë njoftojnë se kanë arrestuar një tjetër person, në lidhje me sulmin e pak kohëve më parë ndaj ambasadës amerikane në Sarajevë.
Sipas njoftimit, në pranga ka përfunduar Emrah Fojnica, i cili dyshohet se ndihmoi atentatorin Mevlid Jasharevic, i cili më 28 tetor hapi zjarr ndaj selisë diplomatike amerikane.
Fojnica, 20 vjec, u ndalua gjatë një kontrolli të kryer nga policia javën e kaluar në fshatin verior Gornja Maoka, por prangosja e tij u bë e ditur ditën e hënë.
I riu akuzohet nga prokurorët që po hetojnë cështjen për “akte kriminale të tipit terrorist”.
Para arrestimit të tij, për akuza analoge, në pranga kishin përfunduar edhe dy persona të tjerë, Dino Pecenkovic dhe Munib Ahmetsphaic.
Më 28 tetor, 23-vjecari Mevlid Jasharevic, një mysliman nga Serbia, qëlloi me kallashnikov në drejtim të ambasadës amerikane në kryeqytetin boshnjak.
Ai u kap nga policia pas një shkëmbimi zjarri dhe pas hetimeve intensive të autoriteteve rezultoi se bënte pjesë në sektin fondamentalist islamik Wahabi.
Një ditë më vonë, policia sebe kreu një operacion masiv kundër pjesëtarëve të një grupi ekstremist, që dyshohej se ishte përfshirë në ngjarje, e cila u klasifikua si sulm terrorist.
Top Channel