Peshëngritja, katër sportistë në Londër 2012

14/11/2011 17:55

Për herë të parë, Shqipëria do të përfaqësohet nga katër peshëngritës në një Olimpiadë. Ndonëse asnjëri nga konkurrentët shqiptarë nuk u pozicionua në zonën e medaljeve në Botërorin e Parisit, me 76 pikë të grumbulluara, kombëtarja përfiton katër ftesa nga renditja e saj ekipore.

“Arritëm që të renditeshim në vendin e 17 në botë në Botëror dhe duke grumbulluar edhe pikët e Antalias më parë, fituam të drejtën për t’u përfaqësuar në Lojrat Olimpike me katër garues. Në 2008-n, morrëm pjesë në Kinë me tre sportistë, dy direktë dhe Romela (Begaj) që ishte me ftesë, ndërsa tani do të shkojmë me katër”, shprehet sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja.

Ndërsa meshkujt arritën të ngriheshin në lartësinë e pritshmërive, nuk mund të thuhet kjo gjë për femrat. 46 pikët e fituara nga Brahja dhe Begaj mbetën pa u ndryshuar pasi Fetije Kasaj dhe Sherjana Ruci bënë një paraqitje të dobët, duke mos i dhënë mundësinë kombëtares së femrave të kualifikojë ndonjë sportiste.

“Për femrat mbetet edhe një mundësi e fundit në kampionatet kontinentale që zhvillon çdo kontinent në prill 2012. Shpresojmë që nëpërmjet një rezultati të mirë të kualikojmë edhe dy femra, në mënyrë që delegacioni i peshëngritjes shqiptare në Londër të jetë i përbërë nga plot gjashtë sportistë”, shtoi Kraja.

Pritet që pas këtij Botërori, Ministria e Sportit të akordojë një fond prej 4.5 mln lekësh për peshëngritësat shqiptarë.

Top Channel