Mbreti i Jordanisë, Abdullah është i pari udhëheqes arab që i drejtohet Bashar Al Asadit me një thirrje te qartë: “Jep dorëheqjen”.
Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, ai tha së nëse ai do të ishte në vendin e Presidentit të Sirisë, do të jepte garanci që kushdo të vinte pas tij, të kishte aftësinë për të ndryshuar “status quo”-në.
“Nëse Bashar shikon interesin e vendit të tij, ai duhet të japë dorëheqjen, por gjithashtu duhet të krijojë kompetencën për të arritur tek njerezit dhe të nisë një fazë të re të jetës politike në Siri”, tha Mbreti i Jordanisë, Abdullah.
Ai i kërkoi presidentit sirian të nisë dialogun me opozitën për një tranzicion të qetë.
Jordania, vendi fqinj me Sirinë ka shtuar kritikat ndaj përgjigjes së dhunshme të qeverisë siriane, kundër protestave.
Shumë vende perëndimore i kanë kërkuar Presidentit Asad të japë dorëheqjen. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se ai ka humbur legjitimitetin, por përjashtuan mundësinë e një ndërhyrje ushtarake.
Të hënën, Bashkimi Europian shtoi sanksionet ndaj Sirisë. Ministrat e Jashtëm, pas takimit në Bruksel shtuan 18 zyrtarë sirianë në Listën e ndalim-udhëtimit dhe aseteve të ngrira.
Ata miratuan gjithashtu masat për t’i ndaluar Damaskut të marrë fonde nga Banka e Investimeve Europiane. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 3500 persona kanë humbur jetën në Siri, prej nisjes së protestave, në mars të këtij viti.
Siri, vijon dhuna, 40 viktima
Aktivistë të të drejtave të njeriut, thanë për mediat ndërkombëtare se të paktën 40 persona janë vrarë nga ushtria dhe forca të tjera të sigurisë në jug të Sirisë.
Përleshjet, sipas aktivistëve janë zhvendosur në jug, fare pranë kufirit me Jordaninë në qytetin Khirbet Ghazaleh.
Disa burime të tjera, thanë se gjysma e viktimave ishin ushtarë dhe gjysma civilë. Ushtria ka hapur zjarr kundër manifestuesve duke shkaktuar 19 të vdekur mes civilëve, ndërkohë që grupe civilësh të armatosur kanë qëlluar kundër forcave të sigurisë duke vrarë të paktën 20 prej tyre.
Informacionet janë kontradiktore, ndërkohë që agjencitë shtetërore të lajmeve në Siri, pohojnë se ushtria dhe forcat e tjera të sigurisë kanë ndërmarrë një ofensivë kundër grupeve rebele të armatosura në jug të vendit.
Top Channel