Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, iu rikthye çështjes së zgjedhjeve presidenciale në një fjalim të mbajtur përpara simpatizantëve në përvjetorin e themelimit të partisë, ditën e shtunë.
Nga Drenasi, Thaçi pranoi se nuk ka një datë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe nuk konfirmoi as theshethemet se ai mund t’i futet garës për pozicionin më të lartë të shtetit.
”Nuk duhet të ngutemi dhe të mendojmë për zgjedhje. Ata nuk dihet se kur do të mbahen”, tha Thaçi. “Ajo që mund t’iu them është që edhe presidenti do të zgjidhet nga PDK-ja me mbështetje të gjerë, edhe qeveria do të udhëhiqet nga PDK-ja dhe përsëri do të kemi shumicën në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Dy partnerët e koalicionit qeverisës, Hashim Thaçi e Behgjet Pacolli, si dhe kreu i partisë më të madhe opozitare, LDK-së, Isa Msutafa, në fillim të prillit kanë arritur një marrëveshje për ndryshime të nevojshme kushtetuese që do të krijonin rrethanën për zgjedhje të presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Komisioni ka përfunduar debatin me qytetarët dhe i ka mbetur të debatojë edhe me partitë parlamentare.
Bazuar në marrëveshje, Komisioni “do të synojë” të përfundojë punën e tij brenda 6 deri 9 muaj nga data e themelimit. Kësisoj, kufiri i skajshëm ka mbetur edhe dy muaj.
Marrëveshja parashikon që zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hynë në fuqi. Kësisoj, i bie që në gjysmën e dytë të 2012 të organizohet zgjedhjet presidenciale, ndonëse Thaçi ka thënë se “s’dihet kur mbahen ato”.
Top Channel